Erling Haaland është sulmuesi i momentit në Europë. Me 27 golat e shënuar në 20 ndeshje, tetë prej të cilëve në 5 ndeshje të Champions League, ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha.
Juventusi e dëshiron në skuadër, Manchester United është lakuar edhe më herët, sikurse edhe Real Madrid, Chelsea, Arsenal dhe Borusia Dortmund i kanë sytë nga ai. Salzburg kërkon të përfitojë financiarisht dhe është folur për shuma që shkojnë nga 50 në 100 milionë euro.
Gjithsesi “Bild” në Gjermani raporton se Haaland ka një klauzolë që mund ta bëjë atë të ndryshojë ekip në janar për vetëm 20 milionë euro. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë do të kemi një ankand për shërbimet e sulmuesit dhe në këtë mes do të përfitonte menaxheri, Mino Raiola, si dhe vetë lojtari që do të merrte një pagë të “majme”.
Normalisht nuk është vetëm çështje parash. Haaland e ka shprehur se dëshira e tij është të luajë në Premier League, sikurse ka bërë edhe babai i tij. Gjithsesi ai do të donte një klub që do ta kishte në qendër të projektit. 19-vjeçari kërkon të luajë dhe të shënojë rregullisht. Ankandi ka nisur prej kohësh. /abcnews.al