Shanset janë të pakta, ndërsa edhe koha punon kundër tij. Por Armando Broja i ndez sërish shpresat e tij për një ftesë nga kombëtarja e Shqipërisë për dy sfidat e parë në kualifikueset e “Botërorit 2026” kundër Anglisë në “Ëembley” më 21 mars dhe Andorrës në “Arenën Kombëtare” tre ditë më pas.
Sulmuesi kuqezi është në fazën e fundit të rikuperimit pas dëmtimit të rëndë, ndërsa mbylli me sukses përgatitjet me Everton në Dubai.
Ai u stërvit me top dhe mori ngarkesë fizike, ndërsa shpreson të marrë edhe minuta në Premier Ligës. Kjo mund të ndodhë vetëm javën e ardhshme, pra vetëm përpara nisjes së grumbullimit të kombëtares kuqezi për sfidat e para.
Ashtu si për Brojën, numërimi mbrapsht ka nisur edhe për Silvinjon, që fundjavën e ardhshme do të zbulojë listën me lojtarët për sfidat eliminatore të Botërorit.
Në dyshim mbetet Ardian Ismjali, që nuk është rikuperuar nga dëmtimi dhe nuk do të luajsë sërish me Empolin në Serinë A. Ndërkohë, gati janë kapiteni Gjimshiti ashtu si Mario Mitaj, që është rikuperuar plotësisht.
Përveç minutave në këmbët e lojtarëve, me përjashtim të Qazim Laçit që luan me vazhdimësi, nuk ka probleme me dëmtimet sa i përket lojtarëve të mesfushës.
Zgjedhjet e vështira të Silvinjos lidhen me sulmin. Për momentin siguri janë vetëm Manaj dhe Daku për rolin e numrit 9. Mbetet për t’u mësuar fati i Myrto Uzunit, që debutoi me Austin FC në kampionatin amerikan.
Të sigurta janë ftesat për Bajramin, Asanin, Hoxhën dhe Muçin, ndërsa risi për repartin ofensiv pritet të jetë Anis Mehmeti.
Të gjitha këto pikëpyetje do të marrin përgjigje javën e ardhshme kur Silvinjo do të publikojë listën e lojtarëve përara se të nisë përgatitjet për debutimin në kualifikueset e “Botërorit 2026” në transfertën e vështirë të datës 21 kundër Anglisë./abcnews.al