Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“I lehtësuar për miratimin e pensioneve me Italinë”, Rama: Mundi dhe sakrificat e një jete punë do të njihen. Në mandatin e katërt, synojmë marrëveshjen edhe me Greqinë

schedule18:52 - 6 Mars, 2025

schedule 18:52 - 6 Mars, 2025

Kryeministri Edi Rama thotë se ndihet i lehtësuar nga mbyllja e procesit të gjatë burokratik për miratimin e ligjit të pensioneve për shqiptarët në Itali. Në një video në Facebook, kreu i qeverisë falenderoi homologen italiane Giorgia Meloni, pa të cilën thotë ai, marrëveshja nuk do të finalizohej.

“Sot jam vërtetë i lehtësuar nga mbyllja më në fund i procesit të gjatë burokratik të miratimit të ligjit të pensioneve për shqiptarët e Italisë. Hallall vicklat, përqeshjet deri te talljet që ishte rrenë, lojë, jo u harrua etj, rëndësi ka që tanimë mundi dhe sakrificat e një jete në punë matanë detit shqiptarë do t’u njihen, njësoj si për italianet. Asnjë dallim. Kjo ishte njëra nga dy marrëveshjet më të vështira të pensioneve se bëhet fjalë për gati gjysmë milioni njerëz dhe jam falënderues Giorgia Melonit, pa të cilën kjo punë nuk të merrte fund dhe mund të merrte vite të tjera.”, thotë kryeministri.

Rama shpreh gjithashtu besimin se gjatë mandatit të katërt, do të arrijnë një marrëveshje për pensionet edhe me Greqinë.

Tani qershia mbi tortë për t’u vënë dhe mbyllur të gjithë këtë cikël mbetet marrëveshja me Greqinë. Qielli është hapur përsëri nga retë, që siç e dini u mblodhën prapë për arsyen që dini, dhe vendosshmëria ime është që të mbyllim të tëra çështjet ende të hapura me po atë vizion, vullnet, ndjenjë respekti e bashkëpunimi që së bashku me kryeministrin Mitsotakis kemi ndarë qysh se jemi takuar për herë të parë. Kam shumë besim që mandati ynë i katërt do të jetë edhe mandati i pensioneve të ligjëruara të shqiptarëve të Greqisë, ashtu sic duhet të jetë padiskutim mandati i heqjes së ligjit të luftës dhe i vënies mbi i të të gjitha pikave të dakordësuara për zgjidhje mes nesh. Shqipëria 2030 dhe Greqia do të jenë së bashku në BE dhe do të kenë lënë pas çdo hije të së shkuarës duke u ofruar më shumë se kurrë për të mirën e përbashkët të të dy popujve por edhe me bindjen se në këtë botë gjithmonë e më të trazuar së bashku jemi shumë e shumë më të fortë.“, shton Rama.

Nga kjo marrëveshje përfitojnë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Itali dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, të cilët do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë. Vendet do të krijojnë një fond specifik që do t’i japë fund problemit për kontributet shoqërore për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali, por edhe për italianët që jetojnë në vendin tonë.

Përmes marrëveshjes, do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!