Qeveria nuk do të tërhiqet përpara egërsisë dhe terrorizmi, ndërsa institucionet do të vazhdojnë punën e tyre. Kjo ka qenë deklarata e kryetares së parlamentit serb Ana Bërnabiç mëngjesin e kësaj të mërkure, një ditë pas trazirave brenda sallës së parlamentit në Beograd.
Në daljen e saj në emisionin e mëngjesit në Radio televizionin serb, i cili po ashtu po merr kritika nga protestuesit se po mbështet propagandën e qeverisë Vuçiç, Bërnabiç foli edhe për opozitën.
“Parlamenti dukej si një zonë lufte, por qytetarët nuk duhet të shqetësohen sepse në Serbi do të ketë paqe. Ne do të arrijmë të ruajmë stabilitetin. Nuk kemi pasur kurrë më parë skena të tilla dhe as një opozitë që dëshiron të poshtërojë parlamentin. Ne nuk do të lejojmë bllokimin e punës së institucioneve.”, tha ajo.
Një informacion Bërnabiç dha edhe për gjendjen shëndetësore të tre deputeteve të plagosura, të cilat u vizituan pasditen e së martës në ambientet e spitalit, ku ndodhen për trajtim të specializuar mjekësor nga presidenti Vuçiç.
“Kur dikush hedh gaz lotsjellës apo objekte të rënda ndaj një deputeti, ai nuk dëmton vetëm një ligjvënës, por fyen mijëra qytetarëve që votuan për atë person. Opozita në thelb po sulmon ata dhjetëra mijëra qytetarë që i votëbesuan. Jasmina Obradoviç vijon të jetë në gjendje të rëndë, Sonja Iliç dhe foshnja e saj janë mirë ndërsa deputetja tjetër e lënduar, Sonja Iliç ka lëndime të lehta.”
Bernabiç nuk la pa prekur edhe ndikimin e kësaj situate tek “armiqtë në rajon” mes të cilëve edhe Prishtina, e cila sipas saj në këtë situatë duhet të jetë e lumtur, ndërsa për kërkesat e studentëve protestues kryetarja e Kuvendit serb deklaroi se ato do të plotësohen pavarësisht situatës së trazuar politike, mes të tjerave edhe ligji për arsimin e lartë që ishte në rend dite në seancën e së martës./abcnews.al


