Ekonomia shqiptare ka pasur ecurinë më të mirë në rajon gjatë 2024. BERZH ka publikuar raportin, ku theksohet se ecuria ekonomike gjatë vitit të kaluar rezulton 3.9% e mbështetur kryesisht nga turizmi.
Ekspertja për ekonominë, Teuta Nunaj thotë se ekonomitë e rajonit janë më të pak të prekura nga problematikat që po kalon ekonomia botërore, kryesisht dhe me kërcënimet e Trump për tarifa.
“Banka parashikon që të jenë thuajse në të njëjtat nivele rritjeje. Kjo nëse analizojmë në kuadër të ekonomisë botërore, është më pak e afektuar nga problemet që po kalon ekonomia botërore kryesisht me pjesën e deklaruar nga Trump për tarifat kundrejt BE dhe vendeve specifike. Ballkani Perëndimor në raport deklarohet edhe për një varësi të drejtpërdrejtë nga dy elementë: investimet publike dhe të huaja direkte, tregues që japin ndikim të menjëhershme në ekonomitë e këtyre vendeve dhe varësinë që kanë këto për nevoja financimi për të rritur ekonominë e tyre.”, u shpreh Nunaj.
Duke u ndalur te remitancat, Nunaj theksoi se janë prekur nga zhvlerësimi i euros.
“Remitancat janë dy tregues. E para, lidhet me nevojën që kanë qytetarët shqiptarë për të përballuar kostot e jetesës dhe e dyta, nëse kanë mundësi dhe hapësira për të sjellë para te familjet e tyre. Të dyja ndërlidhen dhe ne kemi parë që në periudhat e krizës, qoftë në Greqi apo Itali, që kanë numrin më të madh të emgirantëve shqiptarë, të ardhurat e tyre që kanë dërguar kanë qenë më të kufizuara. Patëm rritje të remitancave edhe për shkak të zhvlerësimit të euros. E njëjta sasi parash nga 2022-2024 kishte vlerë më të ulët për shkak të zhvlerësimit të euros”, shtoi Nunaj.
Më tej, ekspertja theksoi:
“Banka e Shqipërisë, sa i përket politikave lehtësuese, ulja e normave të interesit, ka vepruar gjithmonë pas vendimmarrjes së Bankës Qendrore Evropiane. Nëse patëm ulje të ndjeshme të inflacionit, për të ulur normën bazë të interesit, viti 2025 do të vijojë të ketë standartizim të situatës në të cilën ndodhemi, të kemi ekonomi të qëndrueshme, të vijojmë të kemi rritje stabël të ekonomisë dhe parashikohet rritje e normës së interesit në kufirin e 3 për qind. Në periudhën e afërt nuk do të kemi ulje të normës së interesit por do të jemi në të njëjtat nivele.”/abcnews.al

