Strategu portugez, Jose Mourinho, do të rikthehet në “Old Trafford” nesër në mbrëmje, pasi Tottenham i tij do të luajë në transfertë përballë Manchester United. E gjithë vëmendja ishte e fokusuar te konferenca e trajnerit të Tottenham, i cili preku shumë tema.
RIKTHIMI – “Ky është një kapitull i mbyllur për mua. Unë u largova nga klubi, mora kohën time për të reflektuar mbi gjithçka që ndodhi. Kam marrë kohën time për t’u përgatitur për sfidën tjetër. Sinqerisht, United për mua është kapitull i mbyllur”.
SOLSKJAER – “Nuk është punë për mua të analizoj Manchester United tani. Unë i analizoj ata si kundërshtarë, si luajnë ata. Si mund t’i mposhtim? Si mund të na mposhtin? Për mua, kjo është gjëja e rëndësishme për momentin, asgjë tjetër.”
NDESHJET “BIG” – “Ndihem mirë, më pëlqen të luaj ndeshje të mëdha, më pëlqen të luaj kundër skuadrave më të mira dhe të kthehem në një vend ku isha i lumtur. Kam një marrëdhënie të shkëlqyeshme me tifozët e Manchester United. Nesër, rikthehem si trajneri i ekipit që do të përpiqet të mposhtë Manchester United”.
ERIKSEN – “Unë nuk do të diskutoj për këto gjëra personale. Nëse unë do t’iu them se nuk kam folur me z. Levy për Eriksen, Alderweireld dhe Vertonghen, do të gënjeja. Po flas me presidentin për këtë çështje. Gjëja e rëndësishme është që lojtarët janë profesionistë të shkëlqyeshëm. Pra, të tre do të jenë të gatshëm për të luajtur, pavarësisht kontratave”, përfundoi Mourinho./abcnews.al