Seanca për vleftësimin e masës së arrestit në burg të caktuar ndaj kryetarit të bashkisë Erion Veliaj do të mbahet të mërkurën në orën 8 e 30 minuta.
Veliaj u nis me furgonin e policisë, nga blloku i sigurisë ku mbahej, dhe ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme, ku do të zhvillohet edhe gjyqi ndaj tij.
Ndërkaq, para godinës së GJKKO, janë mbledhur mbështetës të Veliajt.
Bashkë me Veliajn do të dalin përballë gjyqtarit Erion Bani edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, për të cilën është caktuar në mungesë masa e arrestit në shtëpi. Për kryebashkiakun e Tiranës, SPAK ka dyshime se është i përfshirë në korrupsion por edhe në pastrim parash.
Ndërsa për Ajola Xoxën, prokuroria ka dyshime se përveç dy veprave penale që dyshohet Veliaj është e përfshirë edhe në fshehje dhe mos deklarim të pasurisë. Të mërkurën do ti komunikohet masa e arrestit në burg edhe biznesmenit Elman Abule, që akuzohet për pastrim parash.
Ata akuzohen për korrupsion aktiv të zyrtarëve ose të zgjedhurve vendor, Prokuroria njoftoi zyrtarisht se në lidhje me hetimet që janë zhvilluar ndaj Veliajt dhe personave të tjerë është marrë në hetim edhe deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua të hënën me kërkesë të prokurorisë së posaçme dhe prej 24 orësh mbahet i izoluar në bllokun e sigurisë në kryeqytet./abcnews.al


