Tifozët e Juventusit duhet të qetësohen, pasi Cristiano Ronaldo nuk e mendon largimin nga Torino. Këtë e ka shprehur drejtori sportiv i Juves, Fabio Paratici, i cili vendos ‘duart në zjarr’ se portugesi do ta vazhdojë karrierën e tij me bardhezinjtë.
“Ronaldo nuk është një problem. Ai donte çmimin e lojtarit më të mirë në Serie A. Për mendimin tonë duhet të ishte ai fituesi i ‘Topit të Artë’. Synimi i tij është që ta fitojë një tjetër ‘Top të Artë’ me fanellën e Juventus. Ne do ta mbështesim në maksimum. Një gjë është e sigurt, Ronaldo do të luajë për Juventusin sezonin tjetër”, deklaron Paratici për ‘Sky Sport Italia’, pas çmimeve të dhëna në ‘Gran Gala’ në Milano.
Drejtori foli edhe për merkaton e janarit, ku ‘Zonja e Vjetër’ nuk do të jetë aktive. “Nuk do të blejmë asnjë lojtarë në janar, madje as nuk do të shesim, me përjashtim të Mandzukic. Për sa i përket Paulo Dybala, ende nuk po e bisedojmë rinovimin e kontratës. Do e bëjmë kur të jetë koha e duhur”, mbylli Fabio Paratici. /abcnews.al