Hyn në fuqi çmimi i ri i energjisë elektrike për abonentët familjarë. Të gjithë ato familje që shpenzojnë deri në 700 kilovator gjatë muajit Shkurt do të faturohen me 8.5 lekë. Faturimi i ri do të reflektohet në faturën që do të shpërndahet në fillim të muajit mars.
Nga çmimi i ri i energjisë do të përfitojnë rreth 1 milion abonentë, të cilëve do t’u ulet pagesa me rreth 10.5% nga ajo që bëjnë aktualisht.
Ndërsa të gjitha ato familje që do shpenzojnë mbi 700 kilovator nuk do të kenë asnjë ndryshim, pasi çmimi do të vijojë të jetë 9.5 lekë/kWh, pa TVSH.
Nëse marim një shembull konkret një familje që konsumon deri në 700 kilovator në muaj paguan 7,980 lekë me TVSH, ndërsa duke nisur nga ky muaj faturimi do të jetë 7,140 lekë, ose 840 lekë më pak.
Institucionet presin që një vendim i tillë do të ndikojë edhe në rritjen e ndërgjegjësimit të familjeve shqiptare që të kursejnë energjinë elektrike.
Vendimi për të ulur çmimin e energjisë për abonentët familjarë erdhi pas rritjes së perfomancës në sektorin energjetik ku ka pasur rritje të arkëtimeve si dhe ulje të humbjeve në rrjet të cilat aktualisht kanë zbritur në 17.9% nga 45% që ishin në 2013-ën./abcnews.al


