Pas përshpirtjes në Katedralen e Athinës, trupi i Kryepeshkopit Anastas Janullatos u nis sot drejt Shqipërisë ku do të prehet përjetësisht.
Udhëtimi i fundit i klerikut, nga Greqia drejt Shqipërisë, do të jetë në rrugë tokësore dhe kortezhi pritet të hyjë nesër në pikën kufitare të Kakavijës për të mbërritur pasdite në Katedralen Ortodokse në Tiranë. Pas shërbesave dhe homazheve, ceremonia e varrimit do të kryhet të enjten paradite.
Anastas Janullatos ndërroi jetë të shtunën, pas disa javësh shtrimi në spitalin “Evangelismos”, në Athinë ku ishte dërguar me urgjencë nga Tirana.
Ai ndodhej i shtruar i intubuar në Njësinë e Kujdesit Intensiv, pas operacionit që iu nënshtrua pasditen e së premtes së 10 janarit. Ai nuk ka mundur t’i mbijetojë orëve kritike pavarësisht tentativës për ta nxjerrë nga intubimi, dhe pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.
Kryepeshkopi u shtrua në një spital të Tiranës më 30 dhjetor me simptoma të infeksionit të rëndë dhe më 3 janar, pasi u përkeqësua, u transferua në spitalin grek./abcnews.al


