Spektakël, gola dhe emocione në ndeshjen Twente-Ajax. Vendasit shënuan dy gola të shpejtë në pjesën e parë, por Ajaksi është shumë i fortë dhe ia doli të përmbyste gjithçka. Lindon Selahi e nisi si titullar i Twentes këtë ndeshje dhe ishte autori i asistit të golit të dytë, teksa u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 60-të.
Japonezi Nakamura zhbllokoi ndeshjen me një gol fantastik pas çerek ore loje. Twente sulmoi sërish dhe dyfishoi pas katër minutash. Lindon Selahi, 20-vjeçari i kombëtares kuqezi, dhuroi një asist për Cantalapiedrën dhe ky i fundit realizoi golin e dytë.
Kampionët në fuqi nuk u dorëzuan dhe nisën të reagojnë. Noa Lang shkurtoi shifrat në pjesën e parë. Sulmuesi 20-vjeçar shënoi edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë për të plotësuar trigolëshin në fitoren e sotme.
Dy gola arriti të realizojë edhe Klass-Jan Huntelaar. Përfundimisht 2-5 për Ajax, që vazhdon të kryesojë me 41 pikë, 9 më shumë se ndjekësit e AZ Alkmaar. Twente qëndron në vend të 12-të me vetëm 18 pikë të grumbulluara pas javës së 15-të. /abcnews.al
Twente – Ajax 2-5
(Nakamura 15′, Cantalapiedra 19′ / Lang 32′, 51′, 70′, Huntelaar 61′, 90+6′)