Shumë turistë, të cilët planifikojnë pushimet e tyre në vitin 2025, janë në kërkim te përvojave që shkojnë përtej të zakonshmes, shkruan Tonya Fitzpatrick në një artikull të botuar në revistën amerikane të udhëtimeve “World Footprints”.
Ndërsa shumë destinacione turistike tradicionale përballen me turizmin masiv, një numër në rritje vizitorësh po kërkojnë vende që janë më të qeta, më kuptimplota dhe të pacënuara.
Ekspertët e udhëtimeve kanë rekomanduar 10 destinacione të reja për t’u vizituar vitin e ardhshëm, mes të cilave kryeson Shqipëria. Nga pikat e nxehta në zhvillim deri te thesaret e fshehura, këto destinacione premtojnë aventura unike.
Shqipëria: Parajsa bregdetare e pacënuar e Evropës
Shqipëria po bëhet shpejt destinacioni më i kërkuar i Mesdheut. E njohur për ujërat e saj bruz, qytetet e bukura bregdetare si Saranda dhe rrënojat antike si ato të Butrintit – kjo perlë ballkanike ofron një alternativë të re kundrejt destinacioneve të mbipopulluara më vizitorë si Greqia apo Kroacia.
“Shqipëria mbetet ndër vendet turistike nën radar për t’u vizituar edhe në 2025. Ajo ofron histori, peizazhe dhe bukuri mesdhetare me një kosto më të përballushme krahasuar me destinacionet më të njohura evropiane”, tha Tom Hall, zëvendëspresidenti i “Lonely Planet”.
Riviera Shqiptare është shtëpia e plazheve të pacenuara dhe ujërave të pastra kristal – ndërsa pikat kryesore në brendësi të vendit të vogël mesdhetar – përfshijnë Bjeshkët e Nemuna, të preferuara nga alpinistët – dhe Gjirokastrën, një qytet i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – i famshëm për arkitekturën e tij të epokës osmane.
Ndërsa infrastruktura vazhdon të përmirësohet, Shqipëria ka vendosur të lehtësojë aksesin në atraksionet e saj autentike dhe të pazbuluara.
Në një epokë kur turizmi masiv po riformulon destinacionet e njohura, eksplorimi i vendeve si Shqipëria ofron jo vetëm një përvojë më intime, por edhe mundësinë për të mbështetur praktikat e qëndrueshme.
“World Footprints” rendit 10 destinacione të reja për t’u vizituar në vitin 2025:
1-Shqipëria
2-Gjeorgjia
3-Huaraz, Peru
4-Salta, Argjentinë
5-Ishujt Ikaria dhe Kythira, Greqi
6-Uzbekistani
7-Zambia, Afrikë
8-Medellín, Kolumbi
9-Laos, Azia Juglindore
10-Grinlanda./abcnews.al