Dy herë ishte Manchester City në avantazh, por Newcastle barazoi dhe të dy ekipet ndanë nga një pikë në ndeshjen e zhvilluar në “St. James Park”. Një tjetër barazim për ekipin e Guardiolës pas atij kundër Shakhtar Donetsk në Champions League.
Raheem Sterling zhbllokoi ndeshjen në mesin e pjesës së parë, por vendasit barazuan menjëherë. Mbrojtësi Willems mposhti Ederson me një diagonale të bukur. Kampionët në fuqi u rikthyen në avantazh tetë minuta përpara fundit të ndeshjes. Kevin De Bruyne shënoi një eurogol dhe u duk se fitorja shkoi për “Cityzens”.
Gjithsesi, Newcastle gjeti forca dhe ia doli të barazonte sërish. Tjetër gol i bukur. Jonjo Shelvey lëshoi një goditje super nga jashtë zonës dhe topi përfundoi në trekëndësh. Përfundimisht 2-2, rezultat që gëzon “Qymyrxhinjtë” dhe trishton ekipin mik.
City ndan vendin e dytë me Leicester City për momentin me nga 29 pikë dhe Liverpool (37 pikë) ka shansin për të thelluar distancën me rivalët kryesorë për titull. /abcnews.al
Newcastle – Manchester City 2-2
(Willems 25′, Shelvey 88′ / Sterling 22′, De Bruyne 82′)