TIRANË- Ambicia e Shqipërisë për të hapur të gjithë grupkapitujt e anëtarësimit me Bashkimin Europian brenda 2025, për ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, jo vetëm është e realizueshme por nuk do të ndikohet as nga çështjet e pazgjidhura dypaleshe.
“Ne duhet ta themi, që BE është më se e hapur për anëtarësimet e reja dhe ne na duhet të plotësojmë detyrat për të ardhmen, që është e ardhme që nuk është ë bazuar vetëm në marrëdhëniet dypalëshe dhe këtu e kemi mbështetjen e të gjithë vendeve anëtare të BE. Proceset të zhvillohet në tavolinë, i qartë dhe transparent dhe për këtë kemi besimin e të gjithë vendeve të BE”, tha Hasani.
Duke iu referuar çështjeve të pazgjidhura me Greqinë, kryesisht njohja e pensioneve dhe kufinjte detare, shefi i diplomacisë shqiptare flet për diskutime kontrete me shtetin fqinj.
“Në të gjithë këtë përpjekje prevalon interesi i qeverisë shqiptare për ta çuar sa më shpejtë e sa më pranë Shqipërinë pranë BE-së duke mos lënë pas themelet e një marrëdhënie të mirë e të shëndoshë.Kemi pasur një mirëkuptimin dhe angazhim shumë të mirë e serioz me republikën e Greqisë në rastin konkret. Është e rëndësishme të mos jetë përpjekje mikrofoni por punë tavoline, duke u futur në të gjithë detajet e nevojshme por dhe duke u kujdesur që detajet të mos prishin të tërën.”, shtoi ai.
Në konferencën e fundvitit me gazetaret, Hasani hodhi poshtë edhe akuzat e opozitës se ambasadorët tanë janë angazhuar në fushate elektorale për votën e diasporës.
“Asnjë ambasador nuk ka kryer angazhime elektorale. Të gjithë kolegët veprojnë në respekt të ligjit dhe detyrimeve që kanë si pjesë e shërbimit të jashtëm dhe administratës civile. Asnjë burim financiar nuk është vënë në funksion të asnjë fushate. Kushdoi që ka parë edhe datat dhe orët e angazhimit të ndonjë subjekti politik është i qartë që aktivitetet janë zhvilluar në fundjavë dhe mund të tregojnë histori se si një ambasador është vetëofruar në një takim të opozitës, por opozita nuk ia çoi kontaktet apo vendin e mitingut.”
Gjithashtu, Hasani tha se në krye të prioriteteve të diplomacisë shqiptare për 2025 do të jetë edhe Kosova, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe integritetit të saj, duke qenë avokatja kryesore për anëtarësimin e saj euroatlantik. Në këtë kuadër, ministri i Jashtëm tha se Shqipëria tashmë ka nisur edhe përgatitjet për pritjen e samitit të NATO-s në 2027./abcnews.al