Veliaj, 5 orë në SPAK/ Kryebashkiaku: Kurth i sajuar. Kallëzim nga persona anonimë, nga ata që nuk na mundin dot në zgjedhje

schedule17:10 - 26 Dhjetor, 2024

schedule 17:10 - 26 Dhjetor, 2024

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u paraqit në SPAK të enjten ku qëndroi për më shumë se 5 orë. Veliaj ka dhënë sqarime mbi hetimin pasuror të nisur ndaj tij por edhe familjarëve. Pas daljes nga SPAK, Veliaj nuk dha sqarime për gazetarët.

“Do të jap sqarime në mbledhjen e këshillit bashkiak.”

Dy orë më vonë, në nisje të mbledhjes së këshillit bashkiak të Tiranës, Veliaj tha se hetimet ndaj tij kanë nisur nga një letër anonime nga një qytetar që nuk ekziston dhe sipas tij ky është një kurth i ngritur nga kundërshtarët e tij politik.

“Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar Nesti Angoni, një personazh që nuk ekziston për të na kthyer mallin e letrave anonime. Disa njerëz që nuk na mundin dot në betejë dhe në zgjedhje, kanë zanatin e letrave anonime. Nesti Angoni nuk ekziston. Të gjithë e dinë se kë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti dhe kulture lincuese përfaqëson ky stil. Megjithatë dhe duke qenë se kryetari i bashkisë ka në zotërim regjistrin civil dhe mund të verifikojë se është një kurth i sajuar. Kam qenë bashkëpunues. Do të ishte shume shqetësuese që edhe për kurthe kryetari i bashkisë, edhe për kurthe anonime, nuk paraqitet. E di gjithë Tirana ku jetoj unë, ku isha përpara zgjedhjeve de pas dhe kur do të jem deri në fund të kësaj detyre. Kështu që unë nuk hyj te ajo racë që i thotë SPAK skap kur s’i intereson dhe i thotë SPAK kur i intereson për kundërshtarët e vet. As nuk kam bërë antiprotesta dhe letra anonime dhe as nuk i them SPAK-ut plaç kur shkon me letra anonime mundohet.”, tha Veliaj.

Në fund Veliaj pati edhe një mesazh për kundërshtarët e tij politik.

“Këtu do të jemi në maj do t’ju mundim me të gjithë letra anonime, kurthe dhe klithma. Do e shikoni se ku është populli”, u shpreh Veliaj.

Kjo është hera e dytë që Erion Veliaj paraqitet në prokurorinë e posaçme, ndërsa më herët ka dhënë sqarime për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Ndërsa të hënën dha shpjegime në prokurorinë e posaçme dhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa të cilës me urdhër të SPAK, i është sekuestruar edhe telefoni.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!