Analisti Skënder Minxhozi thotë se Sali Berisha ka predikuar gjithmonë kulturën delegjitimuese, përçarëse dhe të mosbashkëpunimit. Në një lidhje live për ABC News, duke komentuar protestën e sotme në Tiranë, analisti u shpreh se demokracia nuk mund t’i bindet një kontestatori si Berisha.
“Berisha konteston gjithmonë, është politikan delegjitimues, përçarës, që ka predikuar që në ditën 1 të karrierës dhunën politike, kulturën e mosbashkëpunimit, gjithçka që çon drejt ndarjes dhe jo bashkimit. Pra, nuk është fare lajm se Berisha nuk njeh asgjë dhe kërkon që të imponojë thjesht rregullat e veta dhe atë sistemin e tij logjik ndaj të tjerëve.
Nuk është diçka e re, vetëm se demokracia ka rregulla. Edhe në Amerikë, në vitin 2020, presidenti humbës nuk njohu zgjedhjet dhe një pjesë e madhe e përkrahësve të tij, thoshin se Trump është de facto president dhe Biden është thjesht një kukull. Këto situata, ku parti dhe politikanë të këtij rangu dhe këtu futet edhe Berisha, është një i tillë, ku jetojnë në universe paralele dhe refuzojnë të njohin dhe zbatojnë rregullat e lojës politike, loja duhet të vazhdojë.
Demokracia nuk mund t’i bindet çdo kontestatori, përndryshe do të kalonim në një sistem ku nuk do të kuptohej vlera as e votës dhe as e maxhorancës. Kjo që ndodh sot nuk është aspak e pazakontë. PD ka hyrë dhe dalë në parlament disa herë, kanë djegur dhe karriget.”, u shpreh Minxhozi./abcnews.al