“Unaza e Madhe hapet më 31 dhjetor”, Balluku: Lidhja me “Shqiponjën”, pjesa më e komplikuar

schedule11:30 - 19 Dhjetor, 2024

schedule 11:30 - 19 Dhjetor, 2024

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë inspektoi sot punimet në lotin 1 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Gjatë inspektimit, Balluku rikonfirmoi angazhimin për ta dorëzuar këtë lot brenda datës 31 dhjetor.

“Gëlojnë kantieret e Unazës së Madhe. I kemi parë me detaje të gjitha zonat ku sot punohet dhe kemi përqendrimin e gjithë grupeve të punës dhe ekspertëve. Loti 1 është lidhja me ‘Shqiponjën’, është pjesa më e komplikuar që ne kemi pasur si për shkak të zonës së banuar përreth edhe për shkak të një pjese ujore që ka nëntoka në këtë zonë, që ka dashur disa ndërhyrje. Ne kemi pasur edhe rrugë dytësore që kanë qenë sfidë për projektin”, u shpreh Balluku.

Balluku theksoi se zakonisht në kantiere proceset shkojnë një nga një, ndërsa në këto momente në këtë kantier ka disa procese që ndodhin në të njëjtin moment.

“Nuk na ka ndihmuar mori. Na krijon problematikë lagështira, një sfidë tjetër që shpresoj se do të zgjidhet. Ne i qëndrojmë objektivit për ta dorëzuar deri në 31 dhjetor. Sot kantieret janë të gjitha në kulmin e punës. Disa janë duke u marrë me detaje përfundimtare, disa kanë ende volume, por këtu punohet 24 orë në 24”, u shpreh Balluku.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!