47 vjeçari nga fshati Mesopotam i Bashkisë Finiq, Irakli Davella, i ekzekutuar sot në një atentat mafioz në Greqi, rezulton me një CV penale të pastër prej mbi 10 vitesh.
Konkretisht në Greqi ai rezulton të jetë arrestuar në vitin 2009 si pjesë e një grupi prej 10 personash, shumica prej të cilëve pjestarë të krimit të organizuar grek, të akuzuar për “organizatë kriminale”, “gjobvënie” etj.
Në vitin 2011, ai rezulton të jetë pjesë e një hetimi për një grup prej 17 personash të akuzuar nga policia e Korfuzit për “organizatë kriminale” e “falsifikim” e “lëshim ceqesh të këqija”.
Dosja e Korfuzit, ka qenë një ngjarje e shumë diskutuar në atë kohë. Shkak ishte një shqiptar nga Saranda, ish i dënuar për trafik narkotikësh, i vendosur në qendër të hetimit. Ai rezultoi të kishte lidhje me oficerë të policisë së Korfuzit, kryetarin e Bashkisë së Korfuzit dhe vëllanë e një ish-ministre dhe deputete greke.
Media greke ndërkohë shkruan se ka dyshime nga policia greke, që edhe pse Davella ka rreth 13 vite që nuk rezulton problematik penalisht, të jetë i përfshirë në trafik narkotikësh dhe për këtë po hetohet. Ai rezulton personazh me lidhje të fuqishme në Athinë, Korfuz e Sarandë, ku dyshohet se ka investuar në pasuri të paluajtshme.
Gjithashtu në Athinë ai rezulton pronar i një kafeneje dhe këndi lojërash në Peristeri dhe një biznesi dhënie makinash me qira në ishujt grekë. Gjithashtu me biznes aktiv bar-kafeje rezulton edhe në Mesopotam, Bashkia Finiq por nuk dihet nëse është funksional./abcnews.al