“Ëndrra” franceze në NBA/ Wembanyama shkëlqen sërish te San Antonio, “ylli” 20-vjeçar siguron në fund fitoren në Portland

schedule16:56 - 14 Dhjetor, 2024

schedule 16:56 - 14 Dhjetor, 2024

Nuk është pak ajo që po bën në këtë moshë.

Viktor Uembanijama është vetëm në sezonin e tij të dytë në NBA, është 20 vjeç, por paraqitjet e tij po e kthejnë në një nga yjet kryesorë.

Basketbollisti nga Franca, me shtatlartësinë e veçantë 2.21 metra dhe trupin tepër të hollë, I dha San Antonios një fitore të rëndësishme, dhe madje jashtë fushe.

Uembi shkëlqeu fort në Arenën e Portlendit, ndërsa Spërsat ia dolën 118-116 ndaj Trejl Blejzërsave në sekondat e fundit.

Francezi pati 28 pikë, 7 topa në tabela dhe 7 asistë në 34 minuta.

Në total, në NBA ai ka mesataren për ndeshje me 23.8 pikë, 10.2 topa në tabela, 3.8 asistë, 1.2 vjedhje topi, 3.3 bllokime gjuajtjesh.

Uembi është thuajse në të njëjtat statistika si Shakill O’Nill kur ishte 20 vjeç, ndoshta diçka më pak dominues në tabela, por me më shumë vizion loje, pra asiste, si dhe gjuajtje për tri pikë.

Ndoshta mund të mos jetë ende në nivelin e një Karim Abdul Xhabari, por gjithsesi, pritet që të shumë shpejt të jetë një nga yjet kryesorë të NBA-së dhe të luftojë për titullin kampion.

Falë francezit, San Antonio është në bilanc pozitiv, me 13 fitore e 12 humbje, shumë më lart se sezonin e kaluar kur bilanci në fund të sezonit të rregullt ishte 22 fitore e plot 60 humbje.

Për herë të fundit, Spërsat patën bilanc pozitiv në sezonin 2018-2019.

Suksesi 118-116 në Portlend u arrit fare në fund, dhe madje ishte Uembanijama që e siguroi me dy gjuajtjet e lira të sakta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!