“RYDOX”/ Tre persona nën pranga pas operacionit të SPAK, u shisnin të dhëna personale amerikanëve

schedule17:20 - 12 Dhjetor, 2024

schedule 17:20 - 12 Dhjetor, 2024

Tre persona kanë përfunduar në pranga pas operacionit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të koduar “RYDOX”.

SPAK goditi një treg të paligjshëm kibernetik dhe arrestoi tre administratorët e tij.

Njëri nga administratorët, i cili kishte banim dhe lejeqëndrim në Shqipëri, u arrestua në bazë të urdhrit të prokurorit të çështjes.

Ata akuzohen për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik” dhe “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”.

Që prej shkurtit 2016, Rydox ka kryer mbi 7,600 shitje të informacionit që gjeneruan të paktën 230,000 dollarë të ardhura. Platforma ka ofruar mbi 321,372 produkte të krimit kibernetik për një bazë përdoruesish prej 18,000 individësh, duke përfshirë informacione personale të vjedhura të identifikueshme si emrat, adresat dhe numrat e sigurimeve shoqërore, informacionin e kartave të kreditit dhe kredencialet e hyrjes të mijëra persona që banonin në Shtetet e Bashkuara.

Operacioni u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK, FBI-së (Zyra në Pittsburgh), Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike në Shqipëri, Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Policisë Mbretërore të Malajzisë.

Faqja e internetit Rydox funksiononte si një treg i paligjshëm i dedikuar për:

  • Shitjen e informacionit personal të vjedhur (PII);
  • Shitjen e kredencialeve të aksesit të pajisjeve të vjedhura;
  • Shitjen e mjeteve dhe materialeve për kryerjen e krimeve kibernetike, duke përfshirë tutoriale dhe mjete për spam.

Në ekzekutim të urdhërit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u kryen kontrolle dhe u sekuestruan:

  • 1 njësi kompjuterike dhe 6 laptopë;
  • 5 celularë dhe pajisje të tjera memorizuese;
  • Dokumente dhe asete monetare në kriptomonedha.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!