Hovenier vlerësohet me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”/ Presidentja Osmani: Mbështetës i palëkundur i Kosovës

schedule10:50 - 11 Dhjetor, 2024

schedule 10:50 - 11 Dhjetor, 2024

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier është vlerësuar me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”. Presidentja Vjosa Osmani, e cila i dha çmimin, e vlerësoi ambasadorin si një mbështetës të palëkundur të Kosovës dhe të drejtës së saj për pavarësi.

“Urdhri “Dr.Ibrahim Rugova”, për Jeff Hovenier – i cili për Kosovën ishte më shumë se një Ambasador. Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-të. Faleminderit, Ambasador Hovenier!”, ka shkruar Osmani.

Ky urdhër u jepet personave, vepra jetësore e të cilëve cilësohet si kontribut i veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit.
Hovenier mban postin e ambasadorit në Kosovë që nga fillimi i vitit 2022.

“Ky çmim ka domethënie të madhe për mua, pasi përfaqëson punën kolektive dhe përkushtimin e kujtdo që ka qenë pjesë e kësaj përpjekjeje për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe për të avancuar vizionin tonë të përbashkët për një vend sovran, demokratik dhe multietnik. Ishte privilegj i madh të shërbej si ambasador i SHBA-së këtu në Kosovë”, shkroi Hovenier në një postim në X./abcnews.al