Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar për përfshirjen në listën e zezë të SHBA-së, të Artan Grubit, ish-zëvendëskryeministrit maqedonas nga radhët e saj.
Në një komunikatë për median, BDI ka theksuar se respekton vendimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, si dhe “mbetemi të përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe ndaj forcimit të vlerave demokratike dhe transparencës.”
Për ambasadoren amerikane askush nuk është mbi ligjin dhe llogaridhënia është thelbësore pëe ecurinë e vendit.
“Futja e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit në listën e zezë është dëshmi se ndërhyrja politike në gjyqësor nuk mund dhe nuk do të tolerohet. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të identifikojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion që minon institucionet demokratike dhe dëmton besimin e publikut, tha ambasadorja amerikane, Angela Aggeler.
Koalicioni VLEN ka përshëndetur vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të futur në listën e zezë të Grubit dhe Bexhetit. Kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti nënvizoi se e gjithë lufta që është bërë kundër korrupsionit por edhe brenda BDI-së për largimin e Grubit ka qenë e drejtë.
Në listën e zezë të Departamentit të Shtetit është përfshirë edhe Enver Bexheti, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Grubi dhe Bexheti janë përfshirë në “korrupsion të konsiderueshëm” duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore kundër ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov. Në listë janë përfshirë edhe anëtarët e familjes së tyre.
Pas këtij vendimi Grubi dhe Bexheti nuk do të lejohen të hyjnë në SHBA./abcnews.al