BE konfirmon: Më 17 dhjetor zhvillohet rundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi

schedule09:25 - 10 Dhjetor, 2024

schedule 09:25 - 10 Dhjetor, 2024

Bashkimi Evropian ka konfirmuar të martën se takimi i radhës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, do të zhvillohet më 17 dhjetor në Bruksel, dhe se të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.

Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, ka thënë se në këtë takim do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Takimi i fundit në nivel kryenegociatorësh është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel.

Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, i dërguari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak u ka raportuar vendeve anëtare për gjendjen e dialogut dhe ka thënë se palët kanë mungesë të qartë të gatishmërisë për të bërë ndonjë progres në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!