Vendi ynë do të jetë nën dominimin e intervaleve të gjata me diell në pothuajse të gjithë territorin, ku vranësira të lehta pritet të ketë vetëm në zonat e thella malore të Shqipërisë. Por parashikohet që pjesa e dytë e ditës t’i bëjë gradualisht më të dukshme vranësirat, të cilat do të shfaqen edhe në qytetet e zonës së ulët. Ndërsa vija bregdetare në pjesën më të madhe të saj do të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve. Mbrëmja dhe nata vonë i zhvendosin gradualisht vranësirat drejt shtrirjes Lindore.
Temperaturat e ajrit do të vijojnë konstante në mëngjes, por rriten lehtë në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -1°C vlera minimale deri në 16°C maksimalja në rang territori. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale 40 km/h nga drejtimi Verior – Verilindor. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 2 ballë.
Kosova
Masat ajrore të qëndrueshme do të dominojnë kushtet atmosferike në Republikën e Kosovës duke bërë që paraditja të jetë nën ndikimin e intervaleve të gjata me kthjellime dhe kalimeve të lehta të vranësirave në zona të izoluara. Por parashikohet që vranësirat të shpeshtohen në pjesën e dytë të ditës duke u shfaqur kryesisht në zonat qendrore dhe Lindore të Kosovës, por nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit do të vijojnë konstante në vlerat minimale, por rriten maksimumet duke u luhatur nga -6°C vlera minimale deri në 9°C maksimalja në rang territori. Era do të fryjë mesatare por herë pas here e fortë me shpejtësi deri mbi 40 km/h nga drejtimi kryesisht Verilindor.
Maqedonia e Veriut
Maqedonia e Veriut në orët e para të ditës dhe mesditës parashikohet të jetë nën mbizotërimin e intervaleve të gjata me kthjellime, të cilat më të dukshme do të jenë në zonat Jugore. Ndërsa gjatë pasdites dhe orëve të mbrëmjes vranësirat gradualisht do të shfaqen në një pjesë të mirë të territori të Maqedonisë së Veriut, ku më të theksuara vranësirat pritet të jenë në zonat Lindore. Temperaturat e ajrit do të vijojnë konstante në vlerat minimale, por rriten maksimalet duke luhatur vlerat ditore nga -6°C vlera minimale deri në 11°C maksimalja në rang territori. Ndërkohë era do të fryjë mesatare përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 40 km/h nga drejtimi Verilindor.
Europa
Britania e madhe do të vijojë nën ndikimin e vranësirave të dendura dhe reshjeve të shiut, të cilat herë pas here do të jenë intensive. Gjithashtu me vranësira dhe reshje të dendura dëbore do të mbeten vendet skandinave dhe Alpet e Europës. Ndërsa pjesa më e madhe e kontinentit europian do të vijojë nën ndikimin e masave ajrore me origjinë kontinentale duke sjellë mot të kthjellët, por relativisht të ftohtë./abcnews.al