Broja me buzëqeshje në fytyrë/ Sulmuesi kuqezi flet pasi rikthimit në fushë: U bë kohë e gjatë që nuk jam ndjerë mirë me futbollin

schedule16:12 - 27 Nëntor, 2024

schedule 16:12 - 27 Nëntor, 2024

Iu duk sikur hoqi një barrë nga supet.

Armando Broja ende nuk është gati për Evertonin, por gjithsesi duhet të quhet ditë e bardhë kur luan një ndeshje qoftë edhe për ekipin Shpresa, ndërsa ke pritur më shumë se gjashtë muaj.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u aktivizua për 45 minuta tek Everton U21, në ndeshjen e humbur 0-1 në fushën e moshatarëve të Uatfordit, hapi i parë drejt riaftësimit të plotë.

Ai pati ndonjë mundësi, por padyshim që nuk deshi të sforcohej, për t’iu ruajtur ndonjë dëmtimi tjetër.

Pas ndeshjes foli për televizionin e klubit.

“Jam shumë I lumtur që u ktheva. Është shumë mirë kur je në fushë. U bë kohë e gjatë që nuk jam ndjerë mirë, që kur u dëmtova. Nuk arrija ta shijoja ndeshjen, ta ndjeja që vrapoja mbi bar, apo që të kisha buzëqeshje në fytyrë. Me të vërtetë, këtë herë e shijova dhe tani duhet vetëm të vazhdoj të përparoj dhe shpresoj të jem shpejt në ekipin e parë”.

Gazetari i Everton e ngacmoi se Armando nuk arriti të shënonte.

“Siç e thashë, kryesorja për mua nuk ishte të shënoja gol, por që të kthehesha në fushë, dhe të ndjeja sërish se çfarë do të thotë të luash futboll. E rëndësishme është që u ndjeva mirë. Luajta në 45 minutat e para, mund të kisha luajtur edhe më shumë, por ishte planifikuar që më parë se do të luaja vetëm 45. Ishte një fillim i mirë dhe jam i lumtur që e kalova pa probleme”.

Broja duket se është përshtatur mirë në klub.

“Unë i njoh lojtarët dhe stafin teknik. Të gjithë kanë qenë shumë pozitivë me mua, shumë miqësorë dhe të afërt. Më kanë pritur shumë mirë. Ka qenë shumë e lehtë për t’u përshtatur dhe për të shkuar mirë me të gjithë. Jam i lumtur që po kthehem, dhe dua që të ndihmoj ekipin. Shpresoj që ta ndihmoj me gola apo me asistë, të jem një ndihmë për të zgjidhur problemet. Po pres me padurim që të jem në ekipin e parë dhe të luaj me një buzëqeshje në fytyrë”. /abcnews.al