TIRANË- Partia Demokratike ka shpërfillur ftesën e kreut të Shtetit, Bajram Begaj, për zhvillimin e konsultimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, të cilat do mbahen në pranverën e vitit 2025.
“Kanë shpërfillur në këtë mënyrë ftesën që ka bërë Presidenti i Republikës. Përfaqësuesit e PD kanë zgjedhur të mos vijnë këtu, me pretendimet e tyre, që presidenti është i njëanshëm”, raportoi gazetarja e ABC News.
Ndryshe nga PD, Partia Socialiste do të dërgojë përfaqësuesit e saj në presidencë për t’u takuar me Kreun e Shtetit.
Në këtë takim pritet të shkojë sekretari i përgjithshëm, Blendi Klosi, ndërsa do parashtrojë dhe dëshirën e Partisë Socialiste për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Pas kësaj, Begaj do të presë dhe kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashin. /abcnews.al