Serie A/ Lukaku mjafton për kreun, Napoli thellon krizën e “Ujkonjave”

schedule19:56 - 24 Nëntor, 2024

schedule 19:56 - 24 Nëntor, 2024

Mesa duket edhe rikthimi i një tekniku të madh si Claudio Ranieri, nuk ka mjaftuar për të nxjerrë “Verdhekuqtë” nga kriza që po kalojnë këtë sezon.

Roma ka zhgënjyer sërish në elitën e futbollit italian, teksa mbrëmjen e kësaj të diele janë mundur në fushën e “Bluve” të Napoli, me rezultatin minimal 1-0, duke mos arritur të regjistronin edhe këtë herë, fitoren e parë në transfertë këtë sezon.

Goli i vetëm i sfidës erdhi nga “bomberi” belg, Romelu Lukaku, me “hajmalinë” e teknikut Antonio Conte, që shfrytëzoi më së miri një top të dhuruar nga Di Lorenzo, duke arritur të sigurojë fitoren e madhe të “Bluve”, si dhe të zhysë më tej në krizën që po kalon këtë edicion, ish-skuadrën e tij.

Falë këtij triumfi, Napoli ngjitet sërish në vendin e parë të tabelës, kësaj here me 29 pikë, vetëm 1 më shumë se ndjekësit e Atalanta, Inter e Fiorentina, ndërsa Roma mbetet në vendin e 12-të me 13 pikë. /i.m /abcnews.al