Nuk mund të harrohet ajo që ndodhi pak ditë më parë. Përleshje të ashpra shpërthyen mbrëmjen e 7 nëntorit në Amsterdam pasi Ajaksi u ndesh me Makabin e Tel Avivin në Ligën e Europës.
Kacafytjet ishin mes tifozëve izraelitë të Makabit dhe përkrahësve propalestinezë apo palestinezë. Secila palë ia hedh fajin tjetrës për atë që ndodhi, por shumë më tepër se kjo shqetëson fakti se sonte mund të ketë luftë të vërtetë në Paris.
Në kryeqytetin e revolucioneve, në “Stadë dë Frans”, do të luajnë Franca vendase dhe Izraeli. Organizatorët kanë marrë masa të forta sigurie dhe 4 000 agjentë policie do të jenë të angazhuar, afërsisht katërfishi I numrit të zakonshëm.
Në stadium, sipas tyre, do të lejohen vetëm flamuj francezë dhe izraelitë, ndërsa të pranishëm nuk pritet të jenë më shumë se 20 000 tifozë, në një impiant me 80 000 vende.
Gjithsesi, nuk do të jetë e lehtë të kontrollohet gjithçka në një qytet, zona metropolitane e së cilës ka mbi 10 milionë banorë, dhe ku jetojnë të paktën 1.7 milionë myslimanë dhe rreth 300 000 hebrej. E gjitha kjo e ka zbritur në plan të dytë ndeshjen në vetvete.
Franca, sërish pa Kilian Mbapenë e lënë jashtë nga trajneri Didie Deshamp, e ndjen presionin, por me një fitore do të jepte shpresë për vendin e parë në grup.
Deshamp kërkon që lojtarët të përqëndrohen tek futbolli.
“Ne duhet të sigurohemi që të përgatitemi për këtë ndeshje në mënyrën më normale të mundshme. Natyrisht, lojtarët nuk mund ta përjashtojnë plotësisht dhe të jenë indiferencë ndaj situatës së rëndë. Kjo ka sjellë edhe pasoja për numrin e tifozëve. Ka arsye shqetësuese që kanë bërë të ulet numri I tifozëve. Gjithsesi, kjo le të mbetet këtu. Ne duhet të bëjmë ç’mos që ky duel të mbetet një përballje futbolli pavarësisht gjithçkaje”.
Italia kryeson grupin 2 të Nivelit A të Ligës së Kombeve me 10 pikë ndaj 9 të Francës, e do të luajë ndaj Belgjikës, ndërsa në 17 nëntor është sfida përcaktuese, Itali-Francë.