25-vjeçari Erland Krasniqi është ekstraduar nga Frankfurti. I riu akuzohet se 6 muaj më parë, kreu një plagosje me armë zjarri te rrethrrotullimi i Plepave në Durrës.
Si rezultat i koordinimit të vazhdueshëm të punës me homologët e Interpol Wiesbaden, Interpol Tirana finalizoi procedurat për ekstradimin e 25 vjeçari, të lindur në Kavajë, nga Gjermania në Shqipëri.
Më datë 25.05.2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu theksohet se ai akuzohet se më datë 15.05.2024, pas një konflikti për motive të dobëta, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plepave”, Durrës, ka plagosur me armë zjarri një shtetas.
/abcnews.al/