Një grabitje e jashtëzakonshme ka ndodhur mëngjesin e të hënës në kështjellën-muze të Dresdenit në Gjermani. Bizhuteri dhe thesare të tjera me një vlerë mbi 1 milionë euro janë grabitur në Muzeun Grin Volt, e konsideruar si grabitja më e madhe e një muzeu në historinë e pas luftës së dytë botërore.
Diamante me vlerë të paçmueshme janë vjedhur sipas policisë, e cila ende është në kërkim të grabitësve. Kamerat se sigurisë tregojnë se autorët kanë hyrë përmes një dritareje duke thyer xhamin e kanë dalë po që andej.
Në muze gjendeshin 4 mijë objekte të cmuara, por grabitësit kanë marrë vetëm bizhuteritë antike, duke lënë pa prekur objekte të tjera me vlerë por që ishin në përmasa të mëdha, si vazo e piktura.
Vjedhja ndodhi herët në mëngjes pas një zjarri në sistemin elektrik, që c’aktivizoi alarmin e muzeut por edhe dritat e rrugës, sipas autoriteteve që po ndërtojnë skenarin e grabitjes.
Objektet e vjedhura ndodheshin në atë një ambient që quhet kasaforta jeshile.Sipas punonjësve të muzeut janë vjedhur tre gjerdanë të cmuar me diamantë, rubinë e smeraldë të shekullit të 18.
Sipas policisë dy zjarre të aktivizuara në qendër të qytetit mund të lidhen me përpjekjet e grabitësve për të humbur gjurmët gjatë arratisë së tyre. Muzeu mbante një nga koleksionet më të mëdha të bizhuterive të Europës.
Koleksioni ishte mbledhur në shekullin e 18-të nga August-i forti, udhëheqësi i Saksonisë që më vonë u bë mbret i Polonisë. Fatmirësisht grabitësit nuk kanë gjetur thesarin më të madh të këtij muzeu, atë që njihet si Diamanti i Dresdenit, 41 karatësh, pasi aktualisht i është huazuar Muzeut të Artit Metropolitan të Nju Jorkut.
Drejtori i muzeut Marion Akerman thotë se do jetë e pamundur që sendet e vjedhura të shiten në treg.
“Flasim për objekte që kanë një vlerë kulturore të pamatshme, thotë një punonjës. Ato janë pothuaj pasuri të trashëgimisë botërore. Nuk ka askund tjetër një koleksion të tillë bizhuterish as në sasi e as në cilësi”./abcnews.al