Në prag të grumbullimit të ekipit kombëtar që nis sot, për dy ndeshjet e vlefshme për Nations League ndaj Çekisë (16 nëntor ora 20:45) dhe Ukrainës (19 nëntor 20:45), portieri Thomas Strakosha dhe mesfushori Feta Fetai dolën këtë të hënë në një konferencë për media nga stadiumi ‘Air Albania’.
Feta Fetai, mesfushori i afruar për herë të dytë në ekipin kombëtar nga trajneri Silvinjo foli për mediat në konferencë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Fetai u shpreh i gatshëm për të dhënë maksimumin ndërsa nënvizoi se ekipi e ka pritur shumë mirë së bashku me stafin teknik.
Mendon se do të kesh minuta? – A do të kem minuta nuk di ta them, e di stafi teknik. Nese do të kem, do të jap maksimumin si në stërvitje, si në ndeshje.
Sa i gatshëm je për t’u futur në lojë? – Jam i përgatitur si gjithmonë, edhe për klubin, edhe për Kombëtaren. Jam gati për çdo ndeshje.
Si është marrëdhënia me pjesën tjetër të ekipit? – Nga ana e trajnerit, stafit teknik edhe lojtarët më kanë pritur shumë mirë. Më kanë dhënë besimin e duhur për të dhënë më të mirën. Sa i përket të ardhmes nese do të jem epiqendra e ekipit, shpresoj të jem një prej tyre.
Grumbullimi i dytë me Kombëtaren, na trego pak emocionet – Hera e parë është e veçantë, por edhe kjo ka veçantinë e vet. Ndjenjë shumë e mirë, skuadra më ka pritur shumë mirë si herën e parë edhe tani, së bashku me stafin teknik.
Si e shikon të ardhmen tënde brenda Kombëtares? – Ëndrra e çdo fëmije është të luajë me Kombëtaren. Çdokush ka ëndërr të luajë në Europian ose botëror me Kombëtaren.
Krahasimi me Luka Modriç dhe idhulli shqiptar – Modriçin e preferoj shumë si lojtar. Sa i përket lojtarëve shqiptarë, ka shumë që i preferoj si Asllani, Ramadani.
Ndaj Çekisë, do të donit të shënonit si Modriç apo të shënonit si ai? – Do të doja të dyja. Rëndësi ka fitorja, nuk ka rëndësi se kush shënon apo asiston.
Portieri Thomas Strakosha i vlerëson si dy finale ndeshjet ndaj Çekisë dhe Ukrainës, ndërsa u shpreh se vetëm të përqëndruar ekipi mund t’ia dalë dhe të sigurojë vendin e parë në grup. Strakosha theksoi gjithashtu se mbështetja e tifozëve shqiptarë do të jetë një motiv shtesë për ta.
Çekia? – Besoj në Çeki ndoshta kemi luajtur ndeshjen më të keqe në dy vitet e fundit.Nuk u futëm në fushë siç duhet. Pësuam gol në minutat e para. Nuk luajtëm mirë në 20 minutat e para, pra vetëm më mirë duhet të bëjmë se më keq jo. Duhet të përqëndrohemi më shumë dhe të futemi mirë në fushë që në minutat e para. Kemi dy finale në shtëpi, kemi publikun tonë edhe mendoj që jemi të gjithë të përgatitur mirë. Kemi mungesa apo jo, do të japim maksimumin dhe do tja dalim.
Çfarë duhet të bëjmë ndaj Çekisë për të fituar? – Duhet të jemi të përqendruar pasi në ndeshjen e fundit nuk ishim. Ekipi është me më shumë eksperiencë. Vijmë nga një Europian i mirë. Kemi dy finale në shtëpi dhe kemi tifozët tanë. Duhet të japim maksimumin dhe me zemër, të luftojmë për çdo top.
Stadiumi “sold out”? – Për çdo futbollist është motivim kur e ke stadiumin plot. Na jep zemër për të luajtur mirë. Është diçka shumë e bukur për ne dhe çdo shqiptar.
Sulmuesi Chory i Çekisë? – Ne nuk shikojmë çdo lojtar ndryshe, luajmë si ekip dhe mbrojmë e sulmojmë bashkë. Kemi pësuar dy gola nga ai, duhet të kishim bërë më mirë. Tani duhet të japim maksimumin të gjithë bashkë. Do të jemi të përqëndruar këtu, të mbrojmë dhe sulmojmë mirë.
Konkurrenca në portë? – Duhet të pyesim trajnerin për portierët. Unë bëj maksimumin për vete. Konkurrenca është e mirë për ne dhe për lojtarët, pasi ka pasur vite që nuk kishim.
Alen Sherri? – Kam komplimente dhe urime për Alen Sherrin dhe deri në fund mund të jetë titullar i Cagliari. E kam ndjekur që kur ishim bashkë te Kombëtarja U-21. E ka merituar shansin. Këshilla nuk mund të jap pasi ka nivel dhe aftësi shumë të mira Duhet ta shijojë sa më shumë dhe të japë maksimumin.
Ndeshja më e vështirë? – Besoj ndeshja e parë është më e rrezikshme. Finalja e parë është me Çekinë. Është ndeshje që duhet marrë me shumë seriozitet dhe të shohim se si do të dalim.
Etrit Berisha? – Më mungon Etrit Berisha, pasi lojtarët më të vjetër japin gjithmonë eksperiencë. Kush nuk thirret na mungon, Etritin e njoh prej 12 vitesh dhe na mungon si lojtar dhe si njeri.