Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi ishte sot në Prokurorinë e Tiranë duke dhënë detaje në lidhje me një kërcënim që sipas tij ka marrë në telefon më datë 21 nëntor.
Pasi doli nga prokuroria, Blushi deklaroi se më datë 21 nëntor e kanë telefonuar dy persona duke i folur njëri shqip dhe tjetri në gjuhë të huaj duke i kërkuar që të fshijë një status në Facebook.
“Kam pasur një telefonatë për të cilën nuk dua të flas tani, shpresoj që të ma thojë prokuroria se kush fshihet pas kësaj. Kam komunikuar me dy shtetas një shqiptar, dhe një në gjuhë të huaj, për të gjitha këto sqarime kam vënë sot në dijeni organin e akuzës i cili besoj se do e zbardhë këtë cështje shumë shpejt. Kam besim te prokuroria te organi i akuzës që do nxjerrë në dritë të vërtetën shumë shpejt. Porkuroria është njohur me të gjitha faktet, sapo kam marrë këtë telefonatë, disa orë më pas kam vënë në dijeni edhe organet e drejtësisë”, tha ai para gazetarëve.
Pak ditë më parë, Presidenti Meta deklaroi publikisht se zëdhënësi i tij, Blushi, ishte kërcënuar nga një ambasadë në Tiranë duke mos dhënë detaje të tjera.
Fill pas kësaj Presidenca i ka dërguar një kërkesë prokurorisë për të zbuluar së kush e kërcënoi zëdhënësin e Metës. /abcnews.al