Fitorja e Donald Trump/ Diplomati Canaj: SHBA nuk do të heqë dorë nga Kosova, pavarësisht sjelljes së Kurtit

schedule17:24 - 6 Nëntor, 2024

schedule 17:24 - 6 Nëntor, 2024

Donald Trump është fituesi i zgjedhjeve Presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trump i cili do të jetë president i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës arriti që të mposhtë bindshëm Demokratët në të paktën 4 nga 7 Shtetet e Fushëbetejës.

Në një intervistë në emisionin “Ballkan Update” në ABC News, diplomati Blerim Canaj u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një superfuqi dhe se sipas tij me fitoren e Trump, nuk pritet të ketë shumë ndryshim sa i përket marrëdhënieve mes vendeve.

“SHBA janë një superfuqi duke u nisur nga fakti që strategjitë që krijohen janë afatmesme dhe afatgjata dhe gjithmonë kanë prioritet interesin e SHBA-ve. Duke pasur parasysh faktin që Kosova shihet si produkt i përbashkët, nuk besoj që do të ketë shumë ndryshim.”, tha ai.

Gjithashtu gjatë intervistës, ai shtoi se ka shumë rëndësi se cila do të jetë qasja e qeverisë së Kosovës, ndërsa shtoi se  qeveria e Kosovës duhet të dijë të mbajë marrëdhënie të konsoliduara.

“Ka shumë rëndësi se si do të jetë edhe qasja e qeverisë së Kosovës pas zgjedhjeve. Nuk duhet të harrojmë që slogani i Trump është “e para Amerika”. Struktura e Republikës së Kosovës duhet të dijë ta bëjë interesante Kosovës, për SHBA që të kenë edhe një afërsi jo vetëm me Shtetin e Kosovës, por edhe me qeverinë e Kosovës.Republikanët dinë të marrin vendime edhe të dhimbshme. Nuk e besoj që nëse Kurti nuk shihet si partner nga SHBA, nuk ka për t’u përkëdhelur. Duhet që kryeministri të mbajë aleanca. Kush është Albin Kurti për Donald Trump?,- shtrohet edhe pyetja”, tha më tej ai.

/abcnews.al/