Alessandro Del Piero është një legjendë e Juventusit dhe idhull i tifozëve. Vështirë që këta të fundit të duan dikë më shumë se ish-kapiteni i famshëm. 45-vjeçari ka dhënë një prononcim për AS rreth trajnerit Sarri, futbollit të tij dhe dyshes së mbrojtjes: Chiellini-De Ligt.
BEFASIA – “Juventusi më befasoi me zgjedhjen e Sarrit, duke marrë parasysh të kaluarën e tij te Napoli. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Capellon e Ancelottin, të dy rivalë të mëdhenj të bardhezinjve. U befasova edhe nga shkarkimi i Allegrit, nuk e mendoja se do të mbyllej kaq shpejt ai cikël fitues”.
SARRI – “Sarri ka nevojë për kohë. Loja e tij po bie në sy, por vetëm në disa raste dhe në disa momente të fazës ofensive, si në rastin e golit të Higuain kundër Interit. Juventusi ka ADN e vet, ka lojtar të jashtëzakonshëm që kanë nevojë për një projekt të realizuar. Nuk duhet të presim një kopje të Napolit apo Chelsea”.
CHIELLINI-DE LIGT – “Giorgio është një lojtar thelbësor dhe mungesa e tij ndihet. Kam ndjesi pozitive për De Ligt. Ka kryer shumë gabime, por ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje”. /abcnews.al