“Të pamposhturit” e NBA/ Cleveland dhe Oklahoma City nuk njohin humbje këtë sezon

schedule16:26 - 5 Nëntor, 2024

schedule 16:26 - 5 Nëntor, 2024

Është ende shpejt, por NBA duket se ka projektuar shumë shpejt disa prej favoritëve të Konferencave dhe garës për titullin kampion. Mbi të gjitha janë Klivlend dhe Oklahoma, dy skuadrat që po shpërblejnë të gjitha parashikimet e pragsezonit pasi deri tani e kanë zero kolonën e humbjeve në tabelën e renditjes.

Klivlend regjistroi fitoren e tetë në po aq ndeshje të luajtura, duke kryesuar me meritë në Konferencën e Lindjes.

Megjithëse me shumë vështirësi, Kavaliers kaluan edhe Miluoki Baks me vetëm dy pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 116-114.

Njeriu i suksesit të radhës për ekipin nga Ohaio ishte Darius Garland, I cili ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 39 pikë. Po ashtu, ai dha 8 asist dhe kapi 2 topa në tabelë.

Pa Janis Antentokoumpo të dëmtuar, për Baks nuk mjaftoi i zakonshmi Damien Lilard. 36 pikë dhe 7 asist për yllin tjetër të Miluokit, që gjithasesi nuk mjaftuan të evitonin humbjen e skuadrës së tij.

Me të njëjtin ritëm ecën në Konferencën e Perëndimit, Oklahoma City.

Thandërs siguruan fitoren e shtatë në po aq ndeshje të këtij sezoni, duke mundur me lehtësi 102-86 Orlando.

Xhalen Uillimas ishte shënuesi më i mirë për vendasit dhe i gjithë sfidës me 23 pikë.

Nuk zhgënjeu as Xhilxhous-Aleksandër. Idhulli i ri i Oklahomës mbylli ndeshjen me 21 pikë, por udhëhoqi lojën e skuadrës, duke kapur 6 topa në tabelë dhe duke dhënë 9 asist për shokët e tij.

Ashtu si Kavaliers në Lindje edhe Thandërs në Perëndim nuk njohin rivalë, të paktën deri në këtë moment në sezonit të rregullt të NBA. /abcnews.al