“Beleri eurodeputet, provokim i hapur”, Demaliaj: PE ta kishte shmangur. Gazetarja: Dosja ndaj tij përmban emra grekë me urdhër ndalimi

schedule21:47 - 31 Tetor, 2024

schedule 21:47 - 31 Tetor, 2024

Analisti Ilir Demaliaj e cilësoi si një provokim faktin që Fredi Beleri është bërë eurodeputet në PE, në një kohë kur ky institucion i unionit evropian ka dijeni për akuzat që rëndojnë ndaj tij. Në një lidhje live për emisionin “360 gradë”, ai tha se edhe qeveria shqiptare s’duhet ta kishte lejuar të hynte në vend.

“Në radhë të parë, fillon që nga komuniteti evropian që nuk e di se kush e sjellë Belerin. Greqia si deputet të vetin apo PE. Në të dyja rastet është gjë e ndyrë sepse duke ditur dosjen e Belerit, PE është bërë si bashkimet profesionale të Manush Myftiut, duke ditur që ky njeri ka një ngarkesë të një akuze të rëndë për vrasjen e ushtarakëve shqiptarë, është dënuar për dhunim të simboleve kombëtare, është shfaqur haptazi me lidhjet e kishës ortodokse dhe spiunazhit grek për Himarën si territor grek dhe këtë s’e ka të fshehur. Pa shkuar te dënimi i tij për zgjedhjet, duhet ta kishte evituar këtë se është provokim i hapur. Po të isha në vend të kryeministrit Rama, s’do ta lija të zbriste nga avioni në Rinas. Meqë PE, duke pasur këtë ngarkesë dhe e di për Belerin, ishte në dinjitetin e tij që të mos e sillte Belerin në Shqipëri.”, tha Demaliaj.

Ndërkohë gazetarja Anduena Llabani thotë se në dosjen për Belerin përfshihen emra grekë, për të cilët është dhënë urdhër ndalimi në Shqipëri.

Në të gjithë institucionet ligjzbatuese në vend, vendimi për Fredi Shehun dhe grupin e tij ekziston. Unë e kam marrë nga institucionet tona. E ka nga kupola e lartë, te shërbimi informativ, antiterrori, ministria e brendshme gjykatat dhe prokuroritë. Madje, ka edhe një vendim që një pjesë e mirë e personazheve grekë, ka edhe një urdhër ndalimi në kufi për ta dhe janë njerëzit më të afërt të Fredi Shehut. Ka edhe një çështje tjetër në Prokurorinë e Gjirokastrës, e cila nuk është marrë kurrë në dorën e një prokurori për t’u hapur.”, u shpreh gazetarja./abcnews.al