Qeveria gjermane ka njoftuar se do të mbyllë të gjitha konsullatat iraniane në Gjermani, por do të lejojë që ambasada të vazhdojë të funksionojë, në përgjigje të ekzekutimit të Jamshid Sharmad, i cili kishte shtetësi të dyfishtë (iraniane dhe gjermane).
Ai ishte akuzuar dhe dënuar me vdekje për akuzën e “udhëheqjes së operacioneve terroriste” si udhëheqës i një grupi promonarkist ku ai bënte pjesë. Sharman u ekzekutua të hënën e kaluar.
Vrasja e tij shkaktoi një krizë të rëndë në marrëdhëniet e Berlinit me Teheranin. Ministria e Jashtme gjermane tërhoqi për konsultime ambasadorin e Gjermanisë në Teheran dhe thirri të ngarkuarin me punë iraniane për të shprehur protestën e Berlinit.
Ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berboll i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të vendosë Gardën Revolucionare të Iranit në listën e organizatave terroriste, ndërsa njoftoi se Berlini dhe Brukseli po punojnë për sanksione të reja kundër Iranit.
Ekzekutimi i Jamshid Sharmad u dënua edhe nga Bashkimi Evropian, i cili i bëri thirrje Iranit të përmbahet nga çdo ekzekutim në të ardhmen dhe të ndjekë një politikë të qëndrueshme për heqjen e dënimit me vdekje./abcnews.al