“Sanksionet ndaj Kosovës duhet të hiqen”, Osmani me Von der Leyen: Të punojmë së bashku kundër influencës ruse në rajon

schedule11:29 - 26 Tetor, 2024

schedule 11:29 - 26 Tetor, 2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kërkoi heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj vendit. Në një konferencë për shtyp me presidenten e KE-së Ursula Von der Leyen, Osmani u shpreh:

“Është koha e fundit që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç të padrejta, këto masa po dëmtojnë qytetarët dhe kanë dëmtuar procesin e dialogut duke e bërë atë tërësisht të pabalancuar, pabarabartë dhe të pakredibilitet. Heqja e masave është reflektim i nevojave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, por do ishte edhe përgjigje ndaj plotësimit të parakushteve që vetë BE-ja i kishte vënë në raport me Kosovën sa i përket këtyre masave.”, tha ajo.

Më tej, ajo foli edhe për rrezikun që paraqet influenca ruse në rajon. Osmani theksoi se është e nevojshme që të punohet së bashku për të luftuar ndikimit të Rusisë.

“Është esenciale që të mos lejohet që plani i Rusisë të destabilizojë edhe përtej kufijve të Ukrainës. Për këtë duhet të sigurohemi që gjerat t’i quajmë me emrin e tyre. Pra kush është shtet evropian edhe në vepër, të quhet shtet evropian në vepër dhe kush mbështet Rusinë, të quhet jo i tillë. Influenca ruse në Serbi është rritur, prezenca e oligarkëve rusë dhe agjentëve që tentojnë të destabilizojnë rajonin është rritur, e armëve ruse dhe kineze dhe kjo tregon për rritje të influencës edhe politike dhe ekonomike të Rusisë është rritur. Duhet të bashkojmë forcat për të parandaluar një gjë të tillë. Serbia të ecë përpara me merita drejt BE por përderisa planifikojnë të nënshkruajnë marrëveshje të tjera, ne jemi të shqetësuar. Rusia tenton të rrisë influencën por duhet të sigurohemi që rajoni të mbrohet nga influenca të tilla malinje.”, theksoi Osmani./abcnews.al