Giorgos Marantas, trajneri i Luftëtarit, pas ndeshjes me Flamurtarin, tha për Superpsort: “Jemi të mërzitur, pas golit që shënuam mund të realizonim edhe të dytin në tre katër raste. Mund edhe të kishim pësuar, kur kundërshtari goditi shtyllën. Mund ta evitonim golin e barazimit. Lojën e nisëm jo mirë. Në të dytën ndryshuam dhe besoj se e kemi merituar fitoren. Barazimi na mërzit, pasi na lë shumë mbrapa në renditje”.
“Episodi me fotografin e Flamurtarit? Nuk di çfarë pati fotografi. I fola anglisht dhe nuk më kuptoi. Fola pas ndeshjes dhe nuk kishte asgjë”, shtoi Marantas. Më pas ai vlerëson lojtarët e tij: “Lekët nuk kanë rëndësi në futboll, siç ka thënë Krujf. Futbollistët që i kam i vlerësoj”.
“Duhet të japim pasimin e fundit që të shënojmë. Ekipi më ka kënaqur. Lojtarët po marrin eksperiencë. Më kënaqin me atë që bëjnë në fushë. Duhej qetësi dhe mund të shënonim golin e dytë. Personalisht nuk ndihem i rrezikuar, ndihem mirë. Nëse dikush mundet ta bëjë më mirë, le të vijë. Nuk jam i përhershëm, u takon tifozëve. Para meje ishin dy trajnerë dhe ai i pari as që e nisi kampionatin. Ai i ka sjellë këta lojtarë. Unë besoj tek ata. Po nuk kisha besim, iki vetë”, përfundon greku i stolit të bluzinjve. /abcnews.al