Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta.
Në njoftimin zyrtar Policia e Shtetit sqaron se ka marrë për ekzekutim vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e shtetasit Ilir Meta.
Gjithashtu nënvizon se për zbatimin e këtij vendimi Policia e Shtetit ka marrë masa operacionale, sipas procedurave të parashikuara nga Rregullorja.
“Rreth orës 13:15 minuta Policia e Shtetit ka marrë informacion dhe më pas ka konstatuar se në vendin e quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, në zonën e Laprakës, shtetasi Ilir Meta po udhëtonte me një automjet në drejtim të Tiranës.Në këtë moment është bërë ndalimi i automjetit dhe drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit Ilir Meta, vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti. Shtetasi Ilir Meta ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht, sqarohet më tej. Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë.
/abcnews.al/