“Pensionet, çështja e përbashkët e shoqërisë”, Rama: Duhet të imponojmë rritjen e kontributeve për një rritje të arsyeshme të pensioneve

schedule11:44 - 21 Tetor, 2024

schedule 11:44 - 21 Tetor, 2024

Kryeministri Edi Rama deklaroi se pensionet është çështja më e vështirë e çdo qeverie.

Në një bashkëbisedim me pensionistët për skemën e re të pensioneve, ai tha se kjo çështje është e përbashkët ndërsa shtoi se duhet të imponohet një rritje kontributesh.

“Të gjithë të jenë të qartë se pse pensionet janë pjesa më e vështirë për çdo shtet. Merrni shtetin më të zhvilluar Gjermaninë apo të rajonit tonë, dhe do të shikoni se pensionet janë pjesa më e vështirë dhe ka një sërë pse-sh që do të përpiqeni t’i shpjegojmë. Nga ana tjetër, do të përpiqemi të ndajmë me të gjithë shoqërinë se pse kjo çështje nuk është e buxhetit të shtetit si arka e qeverisë, ku qeveria mund të bëjë çfarë të dojë, por është çështje e përbashkët e shoqërisë. E të gjithë atyre që në republikë fitojnë para sepse çdokush që fiton para me një pagë sado të vogël, me një biznes sado të vogël apo të madh, brenda atij fitimi ka detyrimin ligjor t’u japë atë që u takon pensionistëve përmes skemës. Që ne t’i rrisim kapacitetin për të pasur një vijim një rritje të arsyeshme të pensioneve, ne duhet të rrisim kontributet dhe të imponojmë këtë rritje kontributesh për ata që fitojnë për vete dhe vjedhin pensionistët.”, u shpreh Rama./abcnews.al