Guidë turistëve në komunizëm/ Luan Laze, një nga të parët e të paktët që ka ushtruar këtë detyrë

schedule20:08 - 19 Tetor, 2024

schedule 20:08 - 19 Tetor, 2024

Luan Laze është një nga të parët dhe të paktët persona që iu bënin guidë turistave të huaj gjatë viteve të komunizmit. Ai e ka ushtruar këtë detyrë nga viti 1985-1995.

Njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja por edhe i historisë së vendit tonë ai shoqëronte të huajt në vitet e komunizmit në disa prej atraksioneve të vendit tonë, si Gjirokastra, kalaja e Rozafës, Durrësi dhe me gjithë historinë që ato përmbajnë.

Të vështira por edhe interesante i kujton ato vite kur të huajt kuriozoheshin me legjendat e vendeve tona dhe dëgjonin me habi dhe vëmendje. Me interes ata kanë ndjekur legjendën e syrit të kaltër

Vitet e komunizmit i konsideron si vitet më të vështira sepse përgjegjësia sesi do të komunikoje dhe çfarë do të përmbante komunikimi ishin të kontrolluara nga shteti dhe kontakti me të huajt ishte zero, ndaj kjo të vendoste detyrimisht në pozitë të vështirë.

Kujton sesi përpara punës mbyllej për orë të gjata në dhomë dhe përsëriste në gjuhë të huaj diskurset në mënyrë që mendja e tij të funksiononte vetëm në gjuhën e tyre.

Momentin më të sikletshëm e kujton me disa turistë nga Patra të cilët nuk pranonin faktin që Këlcyra është vend i Shqipërisë.

Me përmbysjen e sistemit, ai shkoi te disa miqtë e tij në Itali të cilët i kishte njohur gjatë një guide dhe i kishte bërë miq familjar. Ata e ndihmuan të fillonte punë, por edhe e këshilluan të kthehej në vendin e tij.

Luan Laze pranon që nuk ka dëshirë t’i rikthehet guidave, por të rinjve që merren me këtë punë, u këshillon të informohen sa më shumë dhe të paraqesin historinë e vendit tonë tek të huajt në mënyrë sa më dinjitoze./abcnews.al