Strategjia e re e turizmit/ Duro: Qëllimi, të bëhemi lider në rajon. Topuzi: Duhet të punojmë për një turizëm cilësor

schedule20:25 - 18 Tetor, 2024

schedule 20:25 - 18 Tetor, 2024

Herida Duro, drejtoreshë e zhvillimit të turizmit në ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, thotë se me strategjinë e re, qëllimi kryesor është që Shqipëria të bëhet lider në rajon sa i përket kësaj fushe. E ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, ajo u shpreh se turizmi tashmë është shtrirë në kohë dhe në territor.

“Kjo strategji dëshmon një ndryshim dinamik, i cili po e vë Shqipëri në përballë sfidave të reja në këtë sektor. Prej vitesh e gjithë industria e turizmit ka pësuar ndryshime dinamike në nivel global, të ndjera pas periudhës së covid dhe kjo reflektoi karakteristika të reja të vizitorëve. Disa nga këto ishin të ndjeshme edhe në vendin tonë. E para në hapësirë, sepse turistët dëshmuan se nuk vizitonin vetëm bregdetin, por tashmë flas për sezon që nuk ka një fillim dhe mbarim. Për një zhvillim në territor, turistët kanë pasur interes për atraksionet qofshin këto kulturore, natyrore, historike në të gjithë territorin. Nuk i referohemi vetëm qyteteve kryesore të trashëgimisë kulturore por edhe për zona të tjera që ndoshta edhe ne vetë brenda territorit i kemi pak të njohura, dhe gjithmonë më shumë po krijohet aksesi për t’i vizituar. Të gjithë këto kanë reflektuar domosdoshmërinë e një dokumenti që do të udhëheqë reformat e politikës turistike në vitet e ardhshme. Jo vetëm për 3-4 vite, por që do të shtrihet në kohëmë të gjatë. Kjo me qëllimin për të qenë lider në rajon, jo me qenë në konkurrencë me vendet që turizmin e kanë traditë, por që të kemi komplementarë dhe të plotësojmë një vlerë të shtuar.”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, Zak Topuzi, kryetar i shoqatës së hoteleri turizmit, tha se në strategjinë e re janë reflektuar gati 90 përqind e problematikave të parashtruara. Megjithatë, ai shtoi se është e nevojshme që të punohet shumë për të ofruar një turizëm cilësor, pasi për atë elitar, jemi ende disa hapa larg.

“Formalizimi i tregut është një nga problemet kryesore. Gjithë bota merret me standarte ne merremi me formalizimin. Sipas analizës, pjesa më e madhe e hoteleve tona janë të vegjël mesatarisht me 30 shtretër dhe kërkon strategji efikase për të rritur sektorin e hoteleve dhe resorteve të mëdha që të dalim nga skema e ngushtë e tregut rajonal. Nuk mjafton të mbetesh me 76 përqind të tregut shqiptar me vendqendrim në rajon ndërkohë që tregu kinez po afrohet në Evropë, të cilat paguhen. Duke punuar për një turizëm cilësor, jo elitar se jemi hapa larg. Një treg cilësor do të krijonte mundësinë e zgjerimit të sezonalitetit, ngritja e strukturave të qëndrueshme dhe aksesimi i destinacioneve nëpërmjet rrugëve. Vuajmë për standartet, jemi akoma pa yje që ndërthuren me trajnimet dhe shkollat profesionale për të cilat është dhënë vëmendje e veçantë. Problem tjetër është edhe problem i subvencionit të punonjësve të turizmit pasi turizmi shqiptar është sezonal. Greqia dhe Kroacia kanë politika për të mbajtur këto punonjës dhe kjo do të jetë sfida më e madhe pasi rajoni e ka zgjidhur tashmë. Probleme të tjera që shikojmë se janë zgjidhur janë edhe infrastruktura në përgjithësi, ajo turistike sepse lidhet me të gjitha shërbimet që nga energjia elektrike, furnizimi me ujë, stacionet e plazhit por edhe portet që duhet të bëhen të dukshme.”, tha ai./abcnews.al