Vrasja e liderit të Hamasit, Biden: Ditë e mirë për Izraelin, SHBA dhe botën. Tani ekziston mundësia për një zgjidhje paqeje në Gaza

schedule21:07 - 17 Tetor, 2024

schedule 21:07 - 17 Tetor, 2024

Presidenti amerikan, Joe Biden e përshkroi vdekjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinëar, si një lajm të mirë për Izraelin, SHBA-në dhe mbarë botën. Në një deklaratë për shtyp, kreu i Shtëpisë së Bardhë, thotë se Sinëar ishte përgjegjës për masakrën e paimagjinueshme në Izrael më 7 tetor dhe për shumë më pas.

Biden theksoi se ushtria izraelite, me ndihmën e shërbimeve sekrete amerikane ka synuar liderët e Hamasit, duke i gjetur në strehëzat e tyre dhe duke i detyruar të largohen. Ai shtoi se vdekja e Sinëar dëshmon edhe njëherë se asnjë terrorist nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë kudo që të fshihet.

“Me ndihmën e inteligjencës tonë, IDF-ja ndoqi liderët e Hamasit, duke i nxjerrë ata nga vendet e tyre të fshehta dhe duke i detyruar të arratiseshin. Rrallëherë ka pasur një fushatë ushtarake si kjo, me udhëheqësit e Hamasit që jetojnë dhe lëvizin nëpër tunele qindra miljesh, të organizuar në kate të shumta nën tokë, të vendosur për të mbrojtur veten pa u kujdesur për civilët që vuajnë mbi tokë. Megjithatë, dita e sotme dëshmon edhe një herë se asnjë terrorist në asnjë vend të botës nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë, pavarësisht sa kohë duhet.”, shprehet Biden.

Lideri i SHBA-ve thotë se vdekja e Sinwar shënon një moment lehtësimi për izraelitët, ndërsa ofron mundësinë për një të ardhme në Gaza pa grupin militant në pushtet.

“Për miqtë e mi izraelitë, kjo është pa dyshim një ditë lehtësimi dhe kujtimi, e ngjashme me skenat e dëshmuara në të gjithë Shtetet e Bashkuara pasi Presidenti Obama urdhëroi bastisjen për të vrarë Osama Bin Laden në vitin 2011. Izraeli ka pasur çdo të drejtë të eliminojë udhëheqjen dhe strukturën ushtarake të Hamasit. Hamasi nuk është më në gjendje të kryejë një 7 tetor tjetër. Së shpejti do të flas me kryeministrin Netanyahu dhe liderë të tjerë izraelitë për t’i uruar, për të diskutuar rrugën për sjelljen e pengjeve në shtëpi te familjet e tyre dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte një herë e përgjithmonë, e cila u ka shkaktuar kaq shumë shkatërrim njerëzve të pafajshëm.

Tani ekziston mundësia për një “ditë pas” në Gaza pa Hamasin në pushtet dhe për një zgjidhje politike që ofron një të ardhme më të mirë për izraelitët dhe palestinezët. Jahja Sinwar ishte një pengesë e pakapërcyeshme për arritjen e të gjitha atyre qëllimeve. Ajo pengesë nuk ekziston më. Por shumë punë mbetet para nesh.”, shtoi Biden./abcnews.al