E dashura e Behar Bajrit sillte urdhrat nga Holanda: Si kontrollohej grupi “Bajri” nga burgu

schedule10:02 - 23 Nëntor, 2019

schedule 10:02 - 23 Nëntor, 2019

Gjykata e Krimeve të Rënda jep sot masën e sigurisë për grupin “Bajri”, për të cilët është dhënë urdhër i ri arresti pak ditë më parë.

Gazetarja Glidona Daci zbardh dosjen e re të prokurorisë dhe raporton për abcnews.al se prokurorët kanë vërtetuar se ishte e dashura e Behar Bajrit ajo që bënte lidhjen mes tij që është i arrestuar në Holandë dhe pjesës tjetër të grupit.

Në dosje thuhet se Jorida Murati me anë të ushtrimit të ndikimit ka ndikuar në Spitalin Rajonal të Shkodrës duke u punësuar fiktivisht si infermiere. Prokuroria pretendon se ka mjaft fakte të reja, si foto dhe video që faktojnë se Jorida Murati bënte korrieren dhe Behar Bajri kontrollonte grupin nga burgu“, raporton gazetarja.

Sipas prokurorisë, Jorida Murati shkonte rregullisht për të takuar Behar Bajrin në Holandë dhe porositë e tij ia përcillte pjesës tjetër të grupit.

Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda Tiranë, me trupë gjyqesore Iliriana Olldashi, pranoi dje me date 22.11.2019 kërkesën e mbrojtësit Av. Arbër Hoxha dhe 4 anëtarëve të grupit “Bajri” Safet Bajri, Ilir Bajri, Asmer Bilali dhe Ismet Idrizi.

Sipas vendimit të gjykatës është konstatuar se masa e sigurisë “arrest me burg”, për 4 anëtarët e grupit Bajri e vitit 2018 është shuar, por se të 4-t do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, pasi ndaj tyre, mbetet në fuqi dhënia e masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë ditën e mërkurë dt. 20.11.2019.

4 anëtarët e grupit Bajri u arrestuar në kuadër të operacionit “Oaz”. Katër nga anëtarët e këtij grupi, për të cilët sot u bë ekzekutimi i masës së re të sigurisë, janë ndaluar më parë dhe ndodhen në burg.

Sipas hetimeve, drejtuesi i grupit Behar Bajri ushtronte ndikim të paligjshëm në Spitalin Rajonal Shkodër, me qëllim që shtetasja Jorida Murati, e cila ishte e punësuar formalisht si infermiere në këtë spital dhe në të njëjtën kohë duke përfituar nga kreditimi i pagës.

Po sipas hetimeve, anëtarë të grupit Bajri, në bashkëpunimin me njëri-tjetrin kanë përfituar shuma parash nëpërmjet kanosjes dhe shtrëngimit ndaj dy shtetasve. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!