Trafiku i emigrantëve të paligjshëm/ Tiranë, arrestohen 15 persona për dhënie ndihmë për kalim kufiri

schedule11:18 - 15 Tetor, 2024

schedule 11:18 - 15 Tetor, 2024

Policia e Tiranës ka arrestuar 15 persona të përfshirë në trafikimin e paligjshëm të emigrantëve që vinin nga Lindja e Mesme për të kaluar më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Hetimi për këtë çështje ka nisur një vit më pare dhe më herët janë arrestuar edhe 5 persona të tjerë, duke e çuar numrin në total në 20. Ndërkohë që 4 persona janë shpallur në kërkim.

Një pjesë e klandestinëve futej në vendin tonë në mënyrë të rregullt nga Greqia por edhe nga Rinasi, dhe pasi e përdornin Shqipërinë tranzit kalonin drejt vendeve të BE-së nga pika kufitare e Moriës dhe Hanit të Hotit.

Sipas burimeve, trafikantët paguheshin mbi 1500 euro për ti kaluar ata drejt vendeve të BE-së.

Nga hetimet ka rezultuar se si organizatorë të trafikimit në Tiranë ishin Ahmed Kensova dhe Mohamad Alfahek. Ndërsa drejtues të tjerë të grupit qëndronin jashtë vendit. Mes tw arrestuarve wshtw edhe pronari i një biznesi të dhënies së makinave me qira në Rinas, Dashamir Kullaj.

Detajet e operacionit i dha në një konferencë për mediat drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.

Vocaj mohoi përfshirjen apo implikimin e efektivëve blu në këtë aktivitet ndërsa u shpreh se dosja mund t’i kalojë SPAK.

Gjatë kontrolleve për arrestimin e tyre u gjetën rreth 20 mijë euro dhe 500 000 lekë,10 pasaporta dhe fotokopje pasaportash të shtetasve egjiptianë dhe sirianë si dhe 10 automjete.