Gjykata Themelore Penale në Shkup me kërkesë të Prokurorisë ka caktuar 30 ditë paraburgim për dadon e cila në mënyrë brutale dhunoi fëmijën 2 vjeçar në një kafene të Shkupit.
Sipas Prokurorisë dadoja disa here e ka goditur fëmijën, i cili ka marrë lëndime trupore. Për këtë vepër penale është paraparë dënim me burg prej një deri dhjetë vite.
Prindërit nga rrjetet sociale kuptuan se fëmija i tyre ishte keqtrajtuar nga 59 vjeçarja e cila ishte angazhuar për ruajtjen e fëmijëve.
Shoqata e dadove e dënoi ashpër sjelljen e gruas dhe kërkon dënim të ashpër.
Nga kjo Shoqatë theksojnë se për shkak të rasteve të tilla, të gjitha dadot, kujdestaret dhe edukatoret janë vënë në pozitë të palakueshme pasi të gjithë i shohin me dyshim, dhe prindërit kanë frikë t’i angazhojnë.
Dadoja 59 vjeçare për një vit është kujdesur për tre fëmijët, ndërsa familja druan se fëmijët vazhdimisht kanë qenë të dhunuar.