Ka përfunduar seanca e dosjes “Plumbi i Artë”, ku i dyshuari kryesor i dosjes hetimore është Nuredin Dumani.
Gazetari Ermal Vija raporton se Gjykata e Posaçme pasi u tërhoq prej 1 orë e 30 minutash në Dhomën e Këshillimit, mori një vendim të ndërmjetëm.
Mësohet se u vendos ‘gjykim i shkurtuar’ ndaj tre të pandehurve, Agim Gjinit, Ilirian Feci dhe Elvis Koçit, ndërsa për pjesën tjetër është rrëzuar kjo kërkesë.
Ilirian Feçi, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
– “Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Skënder Roshi, e kryer në Kavajë në datën 28.04.2011 kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 139, 28/4, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal.
Agim Gjini, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
– “Vjedhje me dhunë” në dëm të shtetasit Astrit Ademi e kryer në datën 31.05.2013 në fshatin Marikaj Bashkia Vorë, në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 139, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
Elvis Koçi, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
– “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, në periudhën 25-30.07.2020, në qytetin e Elbasanit, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
Nuredin Dumani dhe personat e tjerë akuzohen për vepra të rënda si grupi i strukturuar kriminal, vrasje me pagese, vrasje, trafik droge, vendosje tritoli në banesa, grabitje, etj.
Megaoperacioni “Plumbi i Artë” goditi 8 grupe kriminale në Elbasan, Durrës dhe Tiranë, në maj të 2022, ku nga 32 urdhër arreste të lëshuar, u ekzekutuan 18.
Megaoperacioni erdhi menjëherë pas arrestimit të të shumë kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u kap gjatë operacionit policor të koduar “Arratia” në Fier, më 29 mars dhe u bë i penduari i drejtësisë. Për të njëjtën çështje u pendua edhe Henrik Hoxhaj, por gjatë hetimit, SPAK prishi marrëveshjen e bashkëpunimit me të./abcnews.al