Vlora pas përmbytjeve/ Kryebashkiaku Dredha: Kemi aktivizuar fondin e emergjencave, vlerësimet e dëmeve po vijojnë ende

schedule23:49 - 8 Tetor, 2024

schedule 23:49 - 8 Tetor, 2024

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, në një intervistë për “Ora e Fundit”, theksoi se institucioni që ai drejton ka përthithur të gjitha fondet për shërbimet sociale, fond ky që akordohet nga ana e qeverisë qendrore.

“Ka një fond për shërbimet sociale që akordohet nga institucionet qendrore dhe ai fond është ezaurur 100% të tij nga Bashkia e Vlorës”, tha ai.

Kreu i qeverisë, Edi Rama, këtë të martë zhvilloi një takim me kryebashkiakët dhe disa ministria, ndërsa gjatë bisedës dha porosi të qarta duke e vënë theksin tek masat kundër përmbytjeve dhe te procesi i legalizimeve.

Ai u ka tërhequr vëmendjen kryebashkiakëve  sa i përket procesit të legalizimit, duke thënë se në këtë pikë nuk ka tolerime dhe duhet fokus maksimal.

Shefi i qeverisë tha se ky proces duhet të përshpejtohet për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve në mbarë vendin.

Kryebashkiaku i Vlorës, tha se përfshirja e Bashkisë në procesin e legalizimit është një iniciativë e mirë. Ai theksoi se në Vlorë do bëjnë maksimumin për ta çuar para procesin, ndërsa theksoi se gjatë këtij procesi, mund të hasen dosje, që kanë probleme dhe zgjidhja e tyre duhet të bëhet me rrugë gjyqësore.

“Iniciativë shumë e mirë, që edhe bashkia të jetë pjesë e këtij procesi.  Na duket një moment i mirë që edhe bashkia të jetë pjesë e këtij procesi. Gati përshpejtimi i legalizimeve në Vlorë, janë shumë dosje, që janë të pashqyrtuara, janë dosje, të cilat mund të jenë të pazgjidhshme, por ne do ti kalojmë në sitë. Mund të këtë mbivendosje, Ka disa dosje që mund të zgjidhen vetëm me rrugë gjyqësore. Këto janë ato problematika, që nuk varet nga Vlora, Ne do bëjmë çdo gjë për të përshpejtuar procesin e legalizimit”, tha ai.

Kryebashkiaku Dredha u pyet dhe për përmbytjet që prekën Vlorën pak ditë më parë. Sipas tij, reshjet e shiut kanë qenë të pazakonta, pavarësisht se emergjencat civile kanë qenë në terren, por pa mundur të evitojnë vërshimin e ujit në banesa e biznese.

Ai theksoi se bashkia e Vlorës ka aktivizuar fondin e emergjencës dhe mund të kërkojë fonde shtesë nga qeveria për të dëmshpërblyer banorët e prekur nga vërshimet e ujit.

“Që në momentin kur ka filluar reshjet, kemi qenë në terren, pasi kemi pasur informacion nga sinoptikanët që do kishte reshje, por nuk parashikohej të kishte një sasi të lartë reshjesh. Reshjet kanë qenë të pazakonta. Kemi aktivizuar fondin e emergjencave, që është 187 milionë lekë të vjetra.  Mund të kërkojmë  dhe ndihmë me një fond shtesë nga institucionet qendrore. ”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!