Basketboll perfekt në Spanjë/ Saragoza fiton një periodë me rezultatin e pastër 28-0

schedule12:46 - 8 Tetor, 2024

schedule 12:46 - 8 Tetor, 2024

Në këtë sport ndodhin shumë çudira, por kjo ia kaloi të gjithave. Një rekord u vendos që në javën e parë të kampionatit të basketbollit për femra të Spanjës, pasi një skuadër fitoi një periodë me shifrat 28-0!

Kjo, në sfidën që Saragoza luajti në Arenën e Gran Kanarias, pra jashtë fushe. Kurrë më parë nuk kishte ngjarë një gjë e tillë në basketbollin e femrave, ndërsa tek meshkujt ishte arritur deri në rezultatin 20-0 në një pjesë të vetme loje prej 10 minutash.

Vajzat mike po kryesonin në pushim 40-29, pra pasi kishin përfunduar dy perioda të duelit. Epërsia e tyre ishte e dukshme, por as nuk mendohej ajo që ngjau më pas.

Saragoza ia doli 28-0, ndërsa Gran Kanaria vendase gaboi 13 gjuajtje për dy pikë, pesë gjuajtje për tri, dhe humbi katër topa.

Më pas, skuadra udhëtuese e uli ritmin duke fituar në përfundim me rezultatin 87-47. Sukses i thellë, por gjithsesi me 4 pikë më pak sesa rekordi I diferencës në një fitore në historinë e Saragozës.